Obama, Klinton në zgjedhjet paraprake në shtetin e Pensilvanisë

Kandidatët demokratë për president, Barak Obama dhe Hillari Klinton përballen sot në zgjedhje paraprake shumë të rëndësishme në shtetin e Pensilvanisë. Senatores Klinton i duhet të fitojë pa tjetër që të mund të qëndrojë në garë, ndërkohë që senatori Obama shpreson se një mbështetje pozitive do të përforconte statusin e tij si kandidati kryesor për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate.

Në ditën e fundit para zgjedhjeve të sotme, të dy kandidatët demokratë u bënë thirrjet e fundit përkrahësve të tyre që të shkojnë sot në qendrat e votimit.

Senatorja Klinton foli rreth luftës në Irak dhe ekonomisë gjatë një mitingu fushate në Skrenton të Pensilvanisë.

“Ne duhet t’i sjellim trupat në atdhe dhe të kujdesemi për veteranët tanë. Ne duhet pa tjetër të ndryshojmë gjendjen ekonomike dhe të bëjmë që ekonomia të fillojë të krijojë vende pune për njerzit që punojnë rëndë, si shumë njerëz këtu”.

Edhe senatori Obama bëri fushatë në këtë shtet dhe i tha një radio-stacioni në qytetin e Pitcburgut se ai pret një rezultat të ngushtë në zgjedhjet e sotme.

"Ne kemi zhvilluar një fushatë të fortë në Pensilvani. Senatorja Klinton gëzonte një mbështetje të madhe me një ndryshim prej 20 përqind. Unë dhe fushata ime jemi përpjekur ta shtojmë mbështetjen. Nuk parashikoj fitore, por parashikoj që rezultati të jetë i ngushtë. Rezultati do të jetë më i mirë në favorin tim se sa pritet tani për tani”.

Sipas anketave më të fundit të opinionit, senatorja Klinton gëzonte 5 deri 10 përqind mbështetje më të madhe se sa senatori Obama, i cili kohët e fundit është hedhur në mbrojtje lidhur me çështjen kontradiktore rreth lidhjeve me kreun e kishës së tij dhe komentet e kohëve të fundit kur tha se votuesit në qytezat e vogla në Pensilvani janë të zemëruar dhe janë shumë të lidhur me armët dhe fenë.

Ekspertët politikë thonë se senatorja Klinton rrezikon më shumë në zgjedhjet e sotme. Sipas analistit Stjuart Rothenbërg, zonja Klinton ka nevojë për një fitore të ndjeshme ndaj senatorit Obama për të bindur demokratët me ndikim se ajo duhet të qëndrojë në garë deri në fund të sezonit të zgjedhjeve paraprake në muajin qershor.

“Senatorja Klinton është mbrapa për sa i përket numrit të delegatëve. Edhe super delegatët e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, ndërkohë që sezonit të zgjedhjeve paraprake po i vjen fundi. Ajo që duhet të bëjë senatorja Klinton është të vëjë në pikpyetje aftësinë e rivalit të saj demokrat për të fituar në zgjedhjet e nëntorit kundër kandidatit republikan”.

Zoti Obama ka epërsi në numrin e delegatëve, në votat popullore dhe në numrin e shteteve, që kanë zhvilluar deri tani zgjedhje. Por zonja Klinton ka fituar të gjithë shtetet e mëdha, me përjashtim të shtetit të Ilinoit, të cilin senatori Obama e përfaqëson në senat.

As senatorja Klinton dhe as senatori Obama nuk mund të fitojnë numrin e mjaftueshëm të delegatëve për të pretenduar emërimin e partisë pa ndihmën e të ashtuquajturve super delegatë, veprimtarë dhe zyrtarë të partisë të paangazhuar, të cilët do të votojnë në kuvendin e partisë në Denver në muajin gusht.

Ndërsa vemendja në fushatën e zgjedhjeve është përqëndruar tek demokratët, kandidati republikan, Xhon Mekein, vazhdon fushatën për të zgjeruar mbështetjen dhe e përqëndron vemendjen tek zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.  ZA

Dërgo koment të ri